
‘Laureatët e vitit 2024’ nga LRF-ja në Pejë, presidenti Ademi: FFK-ja gjithmonë do të ofrojë përkrahje
Lidhja Rajonale e Futbollit të Pejës organizoi manifestimin tradicional ‘Laureatët e vitit 2024’.
Në këtë manifestim u nderuan klubet dhe individët më të suksesshëm në këtë rajon në vitin që e lamë pas.
Me këtë rast, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, u ka shprehur mirënjohje dhe i ka falënderuar drejtuesit e klubeve e të shkollave të futbollit, trajnerët, ish-futbollistët dhe futbollistët për angazhimin e tyre që futbolli në këtë rajon të ketë ecuri të mbarë dhe në promovimin e talenteve.
“Në emër të KE të FFK-së dhe komunitetit të futbollit i shpreha mirënjohje dhe falënderim të veçantë kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, por edhe krerëve të komunave tjera të këtij rajoni për mbështetjen që po i japin futbollit”, ka theksuar Ademi.
Komunitetin e futbollit të këtij rajoni, presidenti Ademi e ka sigurusr se FFK-ja do të qëndrojë gjithmonë afër tyre dhe do të bëjë çmos në përmirësimin e mëtejmë të kushteve infrastrukturore, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe ato qendrore.
“Gjithashtu rikujtova se 2025-ta do të jetë vit i reformave dhe digjitalizimit të LRF-ve, për një organizim më efikas. Të gjithë laureatët e shpërblyer i urova për sukseset e arritura, duke i inkurajuar që edhe në këtë vit të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për arritje të reja dhe avancimin e mëtutjeshëm të futbollit”, ka deklaruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.