Lansohet plani i veprimit të sigurisë shëndetësore 2024-2026
Kosova ka lansuar sot Planin e Veprimit të Sigurisë Shëndetësore 2024-2026, me qëllim të forcimit të kapaciteteve shëndetësore dhe mbrojtjes së popullatës nga emergjencat dhe kërcënimet shëndetësore.
Plan i lansuar sot në Prishtinë është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë ndërsektorial, të kryesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha -Bunjaku, njëherësh kryesuese e Grupit punues për hartimin e Planit të Veprimit për Sigurinë Shëndetësore (PVSSH) tha sot se përmes zbatimit të këtij plani, bashkëpunimit të gjerë ndërsektorial dhe planifikimit strategjik, Kosova synon të rris kapacitetet kombëtare të sigurisë shëndetësore, me qëllim të përshpejtimit të zbatimit të kapaciteteve bazë të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetësisë (IHR, 2005).
Në ceremoninë e lansimit, ku morën pjesë përfaqësues të MSH, IKSHPK, MMPH, AME, AUVK, Policia e Kosovës, etj, u tha se më këtë hap Kosova bën një hap strategjik drejt forcimit të kapaciteteve të saj për të parandaluar, përballuar dhe menaxhuar sfidat e reja të sigurisë shëndetësore.
Zëvendësministrja Gexha-Bunjaku theksoi se plani që u miratua nga MSh më 2 tetor 2024 ngërthen punën e rreth 40 palëvë që kontribuan në hartimin e tij dhe adreson 14 komponentë të sigurisë shëndetësore, duke filluar nga koordinimi, fuqizimi i kapaciteteve dhe trajtimi i sfidave të reja të sigurisë shëndetësore.
Përmes një video-mesazhi, Kosovën për lansimin e këtij plani, e uroi Dr. Gundo Aurel, drejtor i Divizionit të Mbështetjes së Vendeve dhe Partneriteteve dhe ushtrues detyre i drejtorit të Emergjencave Rajonale- Zyra Rajonale e OBSh-së, ndërkohë që mbështetje për planin kanë dhënë edhe shefi i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, Oleksandër Martynenko; Dr. Samir Selimi nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe pjesëmarrës të tjerë në ceremoninë e lansimit.