Lajçak: Zbatimi i Marrëveshjes Bazë, në interesin e të gjithëve

Lajçak: Zbatimi i Marrëveshjes Bazë, në interesin e të gjithëve

I dërguari i posaçëm për dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u bëri thirrje palëve që të nisin me zbatimin e Marrëveshjes Bazë, pasi, siç tha, një gjë e tillë është në interesin e të gjithëve.

Pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, Lajçak tha se në takimin e 5 marsit në Prishtinë, u diskutua edhe për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb.

“Kemi një listë të gjatë të çështjeve për të cilat kemi diskutuar, por më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes Bazë. Është në interesin e të gjithëve që të shohim përparim më të shpejtë në këtë drejtim”, tha Lajçak për gazetarët në Prishtinë.

Bislimi ende nuk është prononcuar pas këtij takimi.

Sipas emisarit evropian, Marrëveshja Bazë – që u arrit në Bruksel shkurtin e kaluar, dhe më pas në mars në Ohër u arrit pajtimi për Aneksin e saj – është ligjërisht e obligueshme, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë.

“Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që mund të siguronin Kosova dhe Serbia. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, ajo veçse do të ishte propozuar. Prandaj, është në interesin e të gjithëve që të nisin zbatimin e saj. Me këtë marrëveshje ne kemi përgjigje në pyetjet se si, çfarë të bëjmë dhe kur ta bëjmë. E vetmja pyetje që mbetet është se kur dhe unë pyes: Pse të presim? Kjo marrëveshje është e mirë dhe duhet të nisë së zbatuari”, tha ai.