Lajçak viziton Serbinë më 10 shtator

Lajçak viziton Serbinë më 10 shtator

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd më 10 shtator.

Lajçak do të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi Presidenca serbe.

Diplomati sllovak shkroi më 8 shtator në Facebook se do ta vizitojë Beogradin për të përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për të njëjtin qëllim, javën e kaluar Lajçak vizitoi Kosovën.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak deklaroi se është arritur pajtim për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Megjithatë, emisari evropian nuk tregoi se kur do të mbahet ky takim.