Lajçak: Serbia është tërhequr nga letra e Bërnabiqit – palët s’janë tërhequr nga marrëveshja
Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit që ka pasur sot me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka thënë se Serbia është tërhequr nga letra e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, dërguar BE-së në fund të vitit të kaluar.
Lajçak tha se pavarësisht se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojnë në implementimin e saj.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje”.
“Letra është tërhequr. Ka deklarata këtu e atje që nuk ndihmojnë fare, por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i pati dërguar Bashkimit Evropian një letër, me anë të së cilës shprehte qëndrimin e Serbisë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë të pranueshme për shtetin serb vetëm në kontekstin ku nuk përfshin njohjen de-facto apo de-jure të Kosovës.
Tutje, Bërnabiq në atë letër shprehte qëndrimin se Serbia është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB e madje edhe se “Kosova është pjesë integrale e Serbisë”.