Ky është personi që e bleu patentë shoferin e falsifikuar për 400 euro, përfundon në ndalim

Ky është personi që e bleu patentë shoferin e falsifikuar për 400 euro, përfundon në ndalim

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë në Gjilan, ka zhvilluar një aksion në koordinim me Prokurorinë, që rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për falsifikim dokumenti.

I dyshuari kishte siguruar dhe përdorur patentë shofer të Republikës së Kosovës që dyshohet se është i falsifikuar, çka i kushtoi me ndalim policor, transmeton klankosova.tv.

Siç raporton Sinjali, i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Faton Nuredini, rreth 23-vjeçar.

Gjatë aksionit, Policia ka sekuestruar dokumentin nga i dyshuari, si dhe nga departamenti për patentë shoferë është vërtetuar se i njëjti nuk është lëshuar nga institucioni përkatës.

Burimet e Sinjalit thonë se i dyshuari ka deklaruar se dokumentin e falsifikuar e kishte pranuar nga një person i panjohur dhe se kishte paguar 400 euro për ta siguruar patentën.

I dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.