Kuvendi voton Remzie Zeqirajn komisionere parlamentare për FSK-në
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur komisionere parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqirajn.
Pas dy raundeve të votimit, ajo ka marrë 49 vota, ndërkaq Fadil Hadergjonaj 43 vota. Mandati i komisioneres parlamentare është pesëvjeçar.
Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, ka njoftuar për kandidatët e propozuar nga komisioni funksional.
“Komisioni Funksional për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në pajtim me dispozitat e Ligjit numër 08L133 ka zhvilluar procedurat për zgjedhjen e komisionerit parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në përfundim dhe sipas rezultatit vlerësues tre kandidatët më të suksesshëm për votim në seancën e kuvendit janë si në vijim: Sami Hajrullahu 89 pikë, Fadil Hadergjonaj 88 pikë, Remzie Zeqiraj 85 pikë”, ka thënë ai.
Deputetja Albana Bytyqi ka prezantuar numrin e votave për secilin kandidat për komision parlamentar të FSK-së.
“Në votim kanë marrë pjesë 96 deputetë, të pavlefshme janë katër fletëvotime, ndërsa kandidatët Remzie Zeqiraj ka marrë 49 vota, ndërsa Fadil Hadergjonaj 43 vota”, ka njoftuar ajo.