Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, vendosi që seanca plenare e radhës të mbahet të enjten, më 22 tetor, në orën 10:00.
Në seancën e së enjtes, pas ezaurimit të dy pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, punimet do të vijojë me formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe me votimin e propozimit të Grupit Parlamentar Lista serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Në mbledhjen e sotme, me propozim të kryetares Albulena Haxhiu, Kryesia vendosi që nënkryetarja e Kuvendit, deputetja Vlora Çitaku të jetë pjesë e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para dhomave të Specializuara në Hagë.
Po ashtu, Kryesia mori vendim për themelimin e Komisionit të Përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, trajtoi formimin e delegacioneve të Kuvendit në asambletë parlamentare të NATO-s, të Këshillit të Evropës, të SEECP-së dhe të Frankofonisë, si dhe vendosi për formimin e grupeve të miqësisë. Grupet parlamentare do t’i dërgojnë emrat për delegacionet deri nesër, ndërsa për grupet e miqësisë deri më 1 nëntor. Ndërkaq, në mungesë të dy nënkryetarëve, u shty përzgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në këtë mbledhje, Kryesia vendosi gjithashtu që administrata të nis procedurat për formën e logos së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe shqyrtoi një varg çështjesh nga fushëveprimtaria e saj.

