
Kuvendi i Prishtinës miraton buxhetin për vitin 2026
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar të premten buxhetin për vitin fiskal 2026, me shumicë votash nga anëtarët e tij, buxhet ky që kalon mbi 150 milionë euro.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ky buxhet është ndërtuar sipas prioriteteve dhe vizionit zhvillimor e transformues të kryetarit Perparim Rama, me një qasje afatgjatë dhe të orientuar drejt qytetarit, duke krijuar bazën për investime dhe ndërhyrje konkrete në sektorët kryesorë që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në të ardhmen e Prishtinës.
Buxheti i miratuar përfshinë: Investimet kapitale dhe infrastruktura urbane – projekte për rrugë, sheshe, ndriçim publik, hapësira të gjelbra dhe transport urban, si shtylla kryesore e zhvillimit të qëndrueshëm të Kryeqytetit; Shërbimet publike dhe funksionimin e qytetit – mirëmbajtja, pastërtia, mobiliteti, siguria dhe funksionaliteti i hapësirave publike; Shëndetësinë dhe arsimin – përmirësimi i infrastrukturës dhe kushteve të shërbimit për fëmijët, familjet dhe profesionistët; Mirëqenien sociale – mbështetje për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë dhe forcim i solidaritetit institucional; Kulturën, rininë dhe sportin – investime që forcojnë identitetin urban, nxisin kreativitetin dhe krijojnë perspektivë për brezat e rinj; Administratën dhe shërbimet komunale – garantim i stabilitetit institucional dhe ofrim më efikas i shërbimeve për qytetarët.
Aprovimi i buxhetit, përveç tjerash, krijon siguri institucionale dhe i hap rrugë zbatimit të projekteve zhvillimore, duke e bërë këtë dokument të gatshëm për inkorporim në Buxhetin e Republikës i cili pritet të procedohet sapo të formohen institucionet qendrore.
Lëvizja Vetëvendosje ka votuar kundër këtij buxheti, duke e cilësuar si problematik në disa aspekte dhe duke kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie për përdorimin e mjeteve financiare.
