Kuvendi i Kosovës rikthen logon e vjetër pas akuzave për kopjim
Kuvendi i Kosovës ka vendosur të rikthejë logon e vjetër, pasi u zbulua se logoja e re, e miratuar së fundmi, ishte kopje e logos së “International Arabian Exhibitions”.
Në llogarinë zyrtare të Kuvendit në Facebook, të martën, është përditësuar fotografia e profilit me stemën e Kosovës, ndërkohë që logoja e re, e miratuar pak ditë më parë, nuk është ende hequr nga platforma, raporton Paparaci.
Përveç yjeve të vendosura mbi të, logoja e Kuvendit të Kosovës është shumë e ngjashme me atë të panairit në Arabinë Saudite.
Edhe pse Kuvendi ka shpjeguar konceptin e logos për publikun, nuk janë dhënë detaje mbi përbërjen e jurisë që bëri përzgjedhjen.
Në njoftimin zyrtar, thuhet se përzgjedhja është bërë nga një juri profesionale, por nuk është bërë e qartë se kush e përbënte këtë juri.
Sipas njoftimit, simboli i shtëpisë në logon e Kuvendit është i njëjtë me atë të panairit arab dhe përfaqëson ndërtesën kryesore të shtetit – Kuvendin e Kosovës.
Në detaje, pjesa e poshtme e logos paraqet ulëset e deputetëve, ndërsa vija në pjesën e sipërme simbolizon ulësen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.
Vijat anësore në të njëjtën pjesë simbolizojnë ulëset e anëtarëve të qeverisë, dhe të gjitha këto elemente së bashku formojnë hartën e Republikës së Kosovës, e cila, bashkë me yjet, simbolizon flamurin e Kosovës.
Prezantimi i logos së re shkaktoi reagime të shumta, ndër të cilët spikat komenti i dizajnerit të njohur kosovar, Agi Haxhimurati.
Ai ironizoi situatën me një postim ku shkruante: “Po çuditen arabët sa ‘autentike’ është logoja e re e Kuvendit të Kosovës! Kosova dhe storiet që përsëriten!”.