Kushtetuesja i hap rrugë ratifikimit të marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka hapur rrugë të hënën ratifikimit të një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, duke thënë se ajo nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Vendimi i gjykatës shqiptare vjen pesë ditë pasi Dhoma e Ulët e Parlamentit italian e miratoi këtë marrëveshje.
Nëntorin e kaluar, kryeministri i Shqipërisë,Edi Rama, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e nënshkruan marrëveshjen sipas së cilës Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e këtij viti.
Por, Gjykata Kushtetuese e kishte pezulluar përkohësisht ratifikimin e mundshëm të marrëveshjes, pasi një grup prej 30 deputetësh të opozitës dorëzuan padi, duke kërkuar që ajo të deklarohej si jokushtetuese dhe të mos ratifikohej nga Kuvendi.
Opozita pretendon se protokolli i marrëveshjes e cenon sovranitetin i territorit të Shqipërisë. Në kërkesën e saj, opozita theksoi se “kjo nuk lidhet me hapësirën, por me sovranitetin e ushtrimit të autoritetit shtetëror në të gjithë territorin”, duke u bazuar te marrëveshja e nënshkruar, e cila parashikon që në dy vendet ku do të priten dhe strehohen emigrantët, do të zbatohet legjislacioni italian.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese gjeti se protokolli “nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë.”
Ndërkohë, në lidhje me pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë zbatimit të këtij protokolli, Gjykata tha se në dy zonat ku do të veprojë ky protokoll zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane, dhe se e drejta ndërkombëtare, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit, është po ashtu e zbatueshme nga të dyja palët.