
Kush është Leon Avdullahu që me plot zemër i tha “PO” Kosovës?
Futbollisti kosovar, Leon Avdullahu, ka vendosur të përfaqësojë vendin tonë në futboll, duke zgjedhur Kombëtaren e Kosovës para Zvicrës.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka shprehur kënaqësinë për këtë zgjedhje të futbollistit
Por kush është Leon Avdullahu që me plot zemër i tha “PO” Kosovës?
Biografia dhe karriera:
Data e lindjes: 23 shkurt 2004 në Solothurn, Zvicër.
Hapat e parë i hodhi te FC Gerlafingen, për t’u transferuar më pas te Solothurn (2013-2018). Prej verës së vitit 2018 u bë pjesë e akademisë së FC Basel, një nga shkollat më të njohura të futbollit zviceran.
Si profesionist me Baselin (2023-2025), luajti si për ekipin U21 ashtu edhe për skuadrën e parë. Në dy sezone regjistroi 71 ndeshje dhe 3 gola.
Sezoni 2024-25 ishte kulmor: fitoi kampionatin zviceran dhe Kupën e Zvicrës me Basel.
Më 12 qershor të këtij viti, bëri hapin e madh në karrierë duke u transferuar në Bundesligë, te TSG 1899 Hoffenheim, me një kontratë afatgjatë.
I njohur si kapiten i Zvicrës U21, Leon është parë si lider në fushë dhe shembull përgjegjësie edhe jashtë saj.
Stili i lojës:
Pozicioni kryesor; mesfushor qendror me prirje kryesisht defensive.
Çfarë e dallon:
Leximi i lojës: aftësi për të ndalur aksionet e kundërshtarit.
Kontrolli i topit dhe pasimet e sakta që sjellin qetësi në mesfushë.
Qëndrueshmëria fizike: i fortë në duele dhe i pandalshëm në presion.
Lidershipi në organizim: shpesh shihet si dirigjent që e lidh mbrojtjen me sulmin.
Në raportet e skautimit, Avdullahu cilësohet si lojtar që bën punën e fshehur për ekipin nuk kërkon patjetër dritat e reflektorëve, por është thelbësor për ekuilibrin dhe suksesin e skuadrës.
Çfarë pritet në të ardhmen?
Bundesliga do t’i sjellë ritëm më të shpejtë dhe presion më të madh një provë që do ta ndihmojë të piqet si futbollist.
Ekspertët në Zvicër e shohin si një nga talentet me potencial të bëhet mesfushor i klasit të lartë evropian, nëse vazhdon me përkushtimin e deritanishëm.
Me zgjedhjen e bërë për të luajtur me Kosovën, ai jo vetëm që fiton një rol të rëndësishëm në përfaqësim ndërkombëtar, por njëkohësisht i jep një energji të re edhe “Dardanëve”.
/Klankosova.tv
