Kusari-Lila: Dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese s’është kusht para votimit në KiE

Kusari-Lila: Dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese s’është kusht para votimit në KiE

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk është e përcaktuar që Kosova duhet që draft-statutin e Asociacionit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, para votimit në Këshill të Ministrave për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ajo ka thënë për Ekonomia Online se Kosova ka gatishmëri për zbatimin e të gjithave marrëveshjeve të arritura deri më tani, por sipas saj, ato marrëveshje duhet që të jenë të zbatueshme dhe të obligueshme për të dyja vendet pa dallime.

Kusari-Lila ka theksuar se nuk mund të konsiderohet që vetëm formimi i Asociacionit mund të jetë mekanizëm për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të të gjithëve pa dallime.