Kurti thotë se qeveria ka ndihmuar rreth 650 ndërmarrje janë në pronësi të grave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në tryezën me partnerët ndërkombëtarë për fuqizimin ekonomik të grave nga komunitetet joshumicë, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit.
Ky ishte takimi i katër radhazi i kësaj natyre dhe kryeministri Kurti theksoi se kjo është Qeveria e parë që ka ftuar partnerët në këtë format, me qëllim për të përmirësuar koordinimin dhe për të identifikuar prioritetet tona të përbashkëta.
Çështja e trajtuar në këtë takim ishin sfidat e veçanta dhe urgjenca e fuqizimit ekonomik të grave të komuniteteve joshumicë në vendin tonë, temë e cila u konsiderua e rëndësishme nga të dyja palët.
Disa nga sfidat e përmendura nga kryeministri gjatë këtij takimi, ishin niveli i ulët i pronësisë dhe trashëgimisë për të gjitha gratë në Kosovë, niveli i ulët i statusit socio-ekonomik të familjeve, përgjegjësitë më të mëdha të kujdesit të grave në krahasim me burrat, si dhe përqindja e lartë e të gjitha grave që punojnë në tregun e punës joformal.
Mirëpo, pavarësisht sfidave, kryeministri u shpreh se situata po përmirësohet në bazë të arritjeve të bëra gjatë qeverisjes.
“Për të adresuar çështjet e mungesës së kapitalit të grave, ne kemi nxitur me sukses regjistrimin e pronës në emër të burrit dhe gruas dhe kemi kushtuar një total prej 11 milionë euro që nga viti 2021 për të mbështetur gratë sipërmarrëse për të hapur bizneset e tyre, duke ndihmuar rreth 650 ndërmarrjet në pronësi të grave”, ka deklaruar ai.
Në këtë kontekst, u veçua edhe fakti që 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë, të nxitura pjesërisht përmes skemës për pagesat për gratë lehona, ndërkaq 55% e të punësuarve përmes programit “Qeveria për Familjet” janë gra dhe 51% e përfituesve nga platforma Superpuna janë gra.
“Me këtë qasje, ne kemi arritur një rënie të papunësisë më të madhe për gratë sesa për burrat: papunësia për gratë u ulë nga 30% në 17% kur krahasojmë tremujorin e parë të 2021-s, në fillim të qeverisë sonë, me tremujorin e fundit të 2023-s”, ka theksuar Kurti.
Për mundësitë ndaj komuniteteve joshumicë, kryeministri Kurti foli edhe për disa iniciativa specifike, sikurse procesi i verifikimit të diplomave të universitetit, për t’iu mundësuar pjesëtarëve të komunitetit joshumicë serb që kanë studiuar në universitetin në Mitrovicën e Veriut, të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës.
Në anën tjetër shtoi se janë dhënë 884 bursa për studime të shkollës së mesme gjatë dy viteve të fundit për nxënësit nga radhët e komuniteteve joshumicë rom, ashkali dhe egjiptian dhe prej tyre, 51% të përfitueseve kanë qenë vajzat, ndërkaq vitin e kaluar janë dhuruar 55 bursa për studentët nga këto komunitete që ndjekin studimet në universitetet publike, dhe 64% e përfituesve kanë qenë vajza.
Në fund, kryeministri i falënderoi të gjithë partnerët për kontributin e tyre, duke besuar se në takimin e radhës do të mund të vënë në pah zhvillimet specifike në adresimin e të gjithë faktorëve kufizues që zvogëlojnë shanset e grave të komuniteteve pakicë për të kontribuar me aftësitë e tyre në ekonominë e Kosovës dhe jetën e tyre.