Kurti thotë se në Serbi po bëhen plane të tjera për ta sulmuar Kosovën
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, ku ka thënë se në Serbi janë duke u bërë plane të reja për ta sulmuar Kosovën.
Sipas tij, sulmi në Banjskë ishte porositur nga shteti serb i cili u ka dhënë urdhra peronave që e kanë udhëhequr këtë sulm ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, raporton Klan Kosova.
“Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe i organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, pra saktësisht para tre muajve në mjediset e kompanisë ‘Novi Pazar Put’”, ka thënë Kurti.
Më tej, ai ka shtuar se automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë ishin të përqendruara në këtë lokacion.
“Kjo kompani e cila është në listën e sanksioneve të ShBA-së, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Alensadar Gerbovic me pseudonimin Gërba. Ai ka marrë pjesë në luftërat e Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet dhe kryetar i Komunës së Pozhegës në vitin 2008”, ka shtuar ai.
Më tej, Kurti ka theksuar se një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë – Novi Pazar me gjatësi prej 18 kilometrash.
“Gjatë vizitës ai e kishte lëvduar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës për rrugën e cila u përurua tre muaj para kohe me nxitim. Presidenti i Serbisë nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua të cilët sipas tij, po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi më 24 shtator”, ka thënë kryeministri Kurti.
Më tej, kryeministri ka shtuar se pas sulmit terrorist dhe kriminal më 24 shtator, Radoiçiqi u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde.
Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, Radoiçiqi është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s.
Sipas tij, ambientet e firmës ‘Jabllanovica’ në Rashkë ngjashëm me ato të ‘Novi Pazar Put’ po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve shpërthyese për sulmet e ardhshme nga Radoiçiqi dhe grupi i tij.
“Por realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit ‘Mbrojtja Civile’ që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2000 euro në muaj”, ka thënë shefi i qeverisë.