
Kurti thotë se ka komunikim të vazhdueshëm me Osmanin për politikën e jashtme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të premten se ka komunikim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për politikën e jashtme, pas fjalimit të saj kritikues se marrëdhëniet e vendit me aleatët po vihen në rrezik.
Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve më 21 nëntor, Osmani bëri thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.
I pyetur rreth kësaj deklarate gjatë një ngjarjeje në Podujevë të premten, Kurti tha se “unë vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca edhe ministren e jashtme [Donika] Gërvalla sa i përket politikës së jashtme”.
“Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdojmë. Nuk ka vështirësi dhe sfida të tilla që nuk i tejkalojmë”, tha Kurti.
Osmani theksoi se aleanca e Kosovës me vendet e tjera “është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.
“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, tha ajo.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr Kurti, është kritikuar dhe akuzuar nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe, Rel.
Në 12 muajt e fundit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe, duke ndaluar dinarin dhe duke ndërtuar stacione policore.