Kurti tha se liberalizimi i vizave nuk e ka rritur migrimin, reagon Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit Albin Kurti, i cili deklaroi sot se liberalizimi i vizave nuk e ka rritur migrimin.
Haradinaj në reagimin e tij ka shkruar në Facebook se mijëra njerëz kanë braktisur Kosovën veç në 4 vitet e fundit.
“211.789 persona e kanë braktisur Kosovën veç këto katër vitet e fundit. Mashtrimi i ndryshimit të madh të pushtetit shumë shpejt doli në pah dhe kjo i shtyri njerëzit që në masë të madhe dhe heshturazi zgjidhjen e problemeve ekonomike ta kërkojnë në rrugët e botës. Të mos keqkuptohemi, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë migrim nga vendet e Ballkanit, pra edhe nga Kosova për në vendet perëndimore. Është e drejtë njerëzore e drejta për një jetë më të mirë. Megjithatë, ajo çka po ndodhë në Kosovë në këto katër vite nuk është më vetëm migrim, por ky fenomen po merr karakter të dyndjes. Kosova nuk ka problem migrimi por ka problem dyndjeje të popullatës”, thotë ai.
Tutje, ai ka kritikuar pushtetin aktual, duke thënë se Qeveria po vazhdon me sjelljet e papërgjegjshme.
“Qe katër vjet Kosova ka regres ekonomik e assesi progres. Pagat e njëjta, çmimet e larta, perspektiva zero. Qeveria vazhdon sjelljen e papërgjegjshme. Nuk e pranon problemin por e vazhdon mashtrimin se më shumë po kthehen se sa që po shkojnë e të gjithë e dimë se askush nuk po kthehet. Kjo qasje urgjent duhet të ndryshojë”, ka theksuar kreu i AAK-së.