Kurti takon O’Brienin, bisedojnë për sulmin në Ibër-Lepenc

Kurti takon O’Brienin, bisedojnë për sulmin në Ibër-Lepenc

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Bruksel me me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me të cilin ka biseduar për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Kurti, sipas njoftimit për media, ka ndarë me zyrtarin e lartë amerikan detaje për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

“Sulmi i 29 nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë”, tha Kurti.

Sulmi në Varragë të Zubin Potokut është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, deklaroi ditë më parë se pavarësisht se është ende herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.

Kosova ka fajësuar për sulmin Serbinë, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe e ka dënuar atë.

Kurti i tha O’Brienit se sulmi në Zubin Potok ishte sulmi i dytë “në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit dhe ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmin më të madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve”.