Kurti takon eurodeputetin Terras, kërkon largimin e masave të BE-së

Kurti takon eurodeputetin Terras, kërkon largimin e masave të BE-së

Kryeministri  Albin Kurti, ka mirëpritur eurodeputetin nga Estonia, Riho Terras, i cili po zhvillon vizitën e parë në Kosovë pas marrjes së detyrës si raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Sipas njoftimit për media, Kur e ka falënderuar Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe reformave të rëndësishme institucionale.

Ai u shpreh se Republika e Kosovës është shembull shumë i mirë që zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah. Theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e Planit të Rritjes, i cili është instrumenti kryesor për rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.

“Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosova dëshmoi përgatitjen e saj institucionale, gjersa në zbatimin e agjendës së reformave ERA II u arrit një shkallë zbatimi prej 72% nga 45% sa ka qenë në qeverisjet e kaluara, ndërsa në Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) niveli i zbatimit në vitin 2023 arriti në 66.12%”, thuhet më tutje në komunikatë.

Ndër të tjera, kryeministri bëri thirrje për largim të masave të BE-së ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e pranimit sa më parë të pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri e falënderoi raportuesin Terras për vizitën dhe diskutimin konstruktiv. Ndërkaq, ai e falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim me Parlamentin Evropian.

Temë e këtij takimi ishte edhe sulmi i fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, që ndodhi më 29 nëntor.