Kurti takon ambasadorin suedez: Anëtarësimi në NATO, mbetet synim i qartë i Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, shefin e SIDA-s në Kosovë, Henrik Riby, dhe përfaqësuesin e organizatës Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave, Naim Rashiti.
Kryeministri Kurti e uroi ambasadorin Westerlund për fillimin e mbarë të anëtarësisë së Suedisë në NATO, ndërkohë që theksoi se anëtarësimi i Kosovës në po këtë organizatë mbetet synim i qartë dhe angazhim i vazhdueshëm i institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Westerlund për përkrahjen ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe për ndihmën e dhënë për shumë projekte zhvillimore, e përfshirë këtu projektin ‘Ndërtimi i Paqes dhe Avancimi i Agjendës Evropiane’, që menaxhohet nga Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave/BPRG, e i cili mbështet një numër ekspertësh ndërkombëtarë e vendorë.