
Kurti takon ambasadorin Çobaj e Malaj, temë diskutimi forcimi i raporteve
Kryeministri në detyrë Albin Kurti u takua të premten me ambasadorin e Malit të zi në Kosovë, Bernard Çobaj, me të cilin biseduan për zhvillimet në vend, marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Ndër të tjera, u theksua rëndësia e diplomacisë kulturore në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve.
Kryeministri falënderoi ambasadorin Çobaj për përkushtimin dhe angazhimin e tij në forcimin e raporteve dypalëshe dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Malit të Zi ndaj Kosovës.
Kurti po ashtu të premten ka takuar edhe ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, infrastrukturën, sigurinë dhe fusha të tjera në kuadër të të cilave tashmë po zbatohen marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Të dy shprehën përkushtimin për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe, duke punuar ngushtë për projekte të përbashkëta që do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e të dy vendeve.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë. Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Malaj për angazhimin e tij të vazhdueshëm për shtimin e lidhjeve dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.