Kurti takohet me mërgatën në Slloveni
Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë u mirëprit nga bashkatdhetarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni.
Sipas një komunikate për media, i pari i qeverisë shprehu mirënjohjen për angazhimin, punën dhe kontributin e mërgatës në shoqërinë sllovene dhe për vendin e tyre të origjinës, Kosovës dhe Shqipërinë.
Me këtë rast, ai theksoi se ata janë një urë e jashtëzakonshme ekonomike, kulturore dhe tregtare ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Sllovenisë, një shtet dhe popull mik i shqiptarëve në përgjithësi.
“Ne asnjëherë nuk e harrojmë rolin që e ka luajtur Republika e Sllovenisë prej strehimit të disidentëve dhe shqiptarëve të persekutuar në vitet e ’80-ta dhe sidomos në vitet e ’90-ta, pastaj për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës dhe më pas për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për mbështetjen tonë në arenën ndërkombëtare çdo herë kur është kërkuar nevoja”, tha Kurti.
Kurti foli edhe për qeverisjen tij, duke veçuar disa prej arritjeve dhe politikave kryesore në këto gati katër vjetët e fundit.