Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për garimin me listë të përbashkët, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar përfaqësuesit e subjekteve politike për angazhimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke vlerësuar se marrëveshja përfaqëson një zotim të përbashkët për qytetarët shqiptarë të Luginës.
Kurti ka përmendur edhe nevojën për përfaqësim të garantuar të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, duke e krahasuar atë me përfaqësimin e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës.
“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se përveç përfaqësimit politik, angazhimi duhet të fokusohet edhe në të drejtat dhe identitetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë adresat e banimit, përfaqësimin në institucionet publike, zhvillimin ekonomik, gjuhën, kulturën dhe simbolet kombëtare.
Kurti ka theksuar se Kosova do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
“Angazhimi ynë mbetet i vazhdueshëm për barazi, për dinjitet dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë të ardhmen në vendlindjen e vet”, ka përfunduar Kurti.

