Kurti shkruan për 80-vjetorin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit
2 janar 1944, ditë e diel.
Në fshatin Bujan në Malësi të Gjakovës, në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, po merrej një nga vendimet më të rëndësishme për fatin politik të shqiptarëve (jo vetëm) të Kosovës në shekullin e XX. Ishte dita e tretë e Konferencës së Bujanit, që i kishte hapur punimet më 31 dhjetor 1943, në ora 19:00. Nga 61 delegatët e ftuar në konferencë, 49 delegatë kishin arritur të shkonin në Bujan, nëpër rrugët e siguruara nga Ismet Shaqiri dhe ku u ushqyen me furnizimet e siguruara nga Sahit Bakalli. Shpenzimet e konferencës i kishte marrë përsipër një tregtar nga Shkodra, Tefik Çanga, që kishte shërbyer edhe si prefekt i Ferizajit.
Natën e fundit të vitit 1943, më 31 dhjetor, që ishte dita e parë e Konferencës së Bujanit, u mbajtën fjalime deri në ora 01:00 pas mesnate, duke u paraqitur qëndrime të ndryshme politike nga delegatët pjesëmarrës nga Prizreni, Gjakova, Prishtina, Peja, Ferizaji, Drenica, Deçani, Istogu e nga vende të tjera. Të nesërmen, më 1 janar 1944, punimet vazhduan që nga ora 08:30 e mëngjesit në praninë edhe të dy oficerëve britanikë që ishin ftuar nga organizatorët. Njerëz me profile të ndryshme sociale dhe profesionale, me pikëpamje politike të ndryshme, disa të organizuar nëpër organizata politike dhe disa me angazhime vetanake, u përbashkuan rreth qëllimit që të luftohej për çlirimin e Rrafshit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit.
Më 2 janar 1944, në ditën e tretë të punës, delegatët e miratuan unanimisht një rezolutë të konceptuar bashkarisht dhe të shkruar me bukurshkrim nga Xheladin Hana dhe Zekeria Rexha. Pjesë e kësaj rezolute ishte deklarata: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë.” Ky formulim shprehte vullnetin politik të shqiptarëve të Kosovës duke u bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje, të garantuar nga Aleatët edhe nëpërmjet Kartës së Atlantikut.
Që nga 2 janari i vitit 1944 kur u miratua rezoluta e Konferencës së Bujanit, sa herë që ka qenë në pyetje statusi i Kosovës, kjo rezolutë ka qenë një nga dokumentet kryesore për referim. Sot janë bërë 80 vite nga Konferenca e Bujanit, përkatësisht përmbylljes së saj. Ndërkohë gjatë këtyre tetë dekadave, Kosova ka kaluar nëpër kohëra të vështira të shtypjes dhe të nënpërfaqësimit, të shfrytëzimit e të segregimit, të apartheidit dhe të gjenocidit, të rezistencës paqësore, asaj të armatosur dhe të luftës çlirimtare, të shpalljes së pavarësisë dhe të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.
Sot e kujtojmë Konferencën e Bujanit për rëndësinë historike dhe për trashëgiminë politike të saj, për subjektivitetin e pavarur politik të Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje sipas vullnetit politik të popullit të saj.
Në kujtim dhe nderim të të gjithë brezave që janë angazhuar dhe kanë luftuar, që liria dhe të drejtat e Kosovës të realizohen si aktualitet politik!