Kurti rritë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari 2025

Kurti rritë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari 2025

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari 2025.

“Do të bëjmë një rritje substanciale të pagave në sektorin publik në fillim të vitit të ardhshëm, duke ruajtur qëndrueshmërinë afatgjate të buxhetit dhe sipas ligjit në fuqi”, tha Kurti në një konferencë për media.

Ai tha se po e bën këtë për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për ta ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.

“Ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes buxhetore për pagat dhe kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por ta rrisim koeficientin për një njësi. Pra vlera e një koeficienti mbetet 110 euro. Mirëpo rritet sasia e koeficienteve për njësi”, shpjegoi ai.

Sipas Ligjin për Pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Niveli shumëzohet me vlerën dhe përcakton pagën.

Kurti shpjegoi se “duke filluar nga janari i viti të ardhshëm koeficienti do të rritet për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku 2024 edhe për 0.5 njësi të tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik 6.6. Ngjashëm edhe për dike që e ka koeficientin 10.5, në janar i bëhet 11 dhe pastaj 11.5″, shpjegoi ai.

Ai tha se do t’i rrisë pagat edhe një herë verën e ardhshme, por vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në shkurt 2025.

“Më fjalë të tjera të gjithë të punësuarit në sektorin publik pagat për ta do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari dhe për 110 euro nga korriku 2025. Kështu, rritjen buxhetore e shpërndajmë proporcionalisht tek ata që kanë pagat më të ulëta, duke zvogëluar hendekun mes pagës më të ulët edhe asaj më të lartë”, tha ai.