Kurti rrit 20 për qind pensionet, opozita e quan tentativë për të blerë vota
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar të hënën se qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë nga ky muaj për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti.
Pensionet që do të rriten nga tetori janë: pensioni bazik i moshës, pensioni kontibutpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.
Kurti gjithashtu bëri me dije se pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, do të rriten për 20 për qind nga muaji janar 2025.
Ndërkaq partitë opozitare këtë vendim e kanë quajtur tentativë për të blerë vota.
Koordinatori për ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se ky është “rezultati 4-vjeçar i kësaj qeverie”.
“Qeveria i paska rritë pensionet për hiq më shumë se 20 euro!4 vite pritje me këtë qeveri, dyfishim i çmimeve për shumicën e produkteve bazike, dhe në fund rritje 20 euro. Ky është rezultati 4-vjeçar i kësaj qeverie në përmirësimin e jetës së pensionistit. Këta njerëz nuk kanë pikë ndjeshmërie ndaj kushteve në të cilat sot jetojnë pensionistët. Madje edhe ky vendim ndoshta nuk do të merrej, nëse Albin Kurtit nuk do t’i nevojitej shpërqendrimi i vëmendjes nga vendimi për lejimin e hyrjes së mallrave serbe. Koha për pensione e paga të dinjitetshme po vjen me kryeministrin Bedri Hamza. Nuk ka rrugë tjetër!”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.
Deputetja e LDK-së, njëherësh edhe nënkryetare e partisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se rritja e pagave, pensioneve dhe shpërndarja taksave të qytetarëve në çfarëdo forme, në kohë fushate elektorale, është tentativë për të blerë vota, duke theksuar se ky vendim është skemë e korrupsionit publik.
“Nëse Albini Kurti e Hekuran Murati do të brengoseshin për qytetarë, ata pensionet dhe pagat do t’i indeksonin për normën e inflacionit që në vitin 2022, por kjo nuk ndodhi sepse atëherë nuk kishte zgjedhje. Rritja e pensioneve sot 20%, nuk është e mjaftueshme sepse vetëm norma e inflacoionit që ka ndodhur gjatë qeverisë Kurti është 22%”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.