Kurti reagon pas aksidentit me tre të vdekur në rrugën Mitrovicë-Pejë
Kryeministri Kurti reagon pas aksidentit tragjik në rrugën Mitrovicë-Pejë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me dhimbje dhe shqetësim pas aksidentit tragjik që ndodhi në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën pesë të tjerë.
“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe. Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre. Njëkohësisht, uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se autoritetet janë duke punuar për të siguruar një pasqyrë të plotë të rastit dhe bëri thirrje për kujdes të shtuar në trafik.
“Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë” , përfundoi ai.