Kurti: Radoiçiq, thelbi i problemit të sulmeve në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë ta dorëzojë tek autoritetet kosovare Millan Radoiçiqin, duke thënë se politikani dhe biznesmeni serb është “arsyeja thelbësore” e sulmeve që kanë ndodhur dhe mund të ndodhin në të ardhmen në Kosovë.
Duke folur në një konferencë për media të dielën në Prishtinë pas një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dy ditë më parë, Kurti tha se “problemi kryesor për bindjen time është fakti që Millan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës”.
Autoritetet kosovare kanë leshur fletarrestim dhe kanë ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për një sulm vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Kurti tha se, sikur Radoiçiq të mos lihej i lirë në Serbi, do të “binin gjasa në mënyrë drastike që të realizoheshin të gjitha këto sulme që kanë ndodhur dhe sulme në të ardhmen që ata i planifikojnë”.
“Ne kërkojmë prej faktorëve ndërkombëtarë t’i bëjnë trysni Beogradit ta dorëzojnë kryekriminelin Radoiçiq tek institucionet e Kosovës. Nëse Serbia ka dyshim se Radoiçiq nuk do të kishte gjykim të drejtë në Kosovë, ne e kemi EULEX-in, ai i vëzhgon të gjitha rastet në Kosovë. Prandaj ai duhet t’i dorëzohet Kosovës”, tha ai.