
Kurti pret në takim Amir Rrahmanin
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim kapitenin e Kombëtares së Kosovës dhe mbrojtësin e Napolit, Amir Rrahmani.
Në prani të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe deputetit dhe trajnerit të njohur Bylbyl Sokoli, Kurti e ka uruar Rrahmanin për sukseset e tij në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një nga futbollistët më të mirë dhe më të suksesshëm që ka pasur Kosova ndonjëherë.
Postimi i Kurtit:
Nga Drenica në Shqipëri te Partizani i Tiranës, prej aty në Kroaci te Spliti, Lokomotiva dhe Dinamo e Zagrebit, dhe pastaj në Itali fillimisht te Verona dhe tash te Napoli, Amir Rrahmani është një nga lojtarët më të mirë e më të suksesshëm të Kosovës dhe të kampionit të Serie A, Napoli. Ai është shembull për t’u ndjekur nga sportistët tanë të rinj, sidomos futbollistët.
Bashkë me ministrin Hajrulla Çeku dhe deputetin e trajnerin e mirënjohur, Bylbyl Sokoli, me kënaqësi mirëpritëm kapitenin e Kosovës që është dy herë kampion i Italisë. E uruam për arritjet e jashtëzakonshme në futbollin profesionist e veçanërisht në një ekip si Napoli ku sa herë fiton bëhesh i paharrueshëm dhe ikonë për tifozerinë atje, si dhe e falënderuam për përfaqësimin e denjë të Republikës sonë – e unë edhe për fanellën që ma dhuroi.