
Kurti premton mbi 1 miliard euro buxhet për ushtrinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi se në mandatin e ri qeverisës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të ndahen mbi 1 miliard euro buxhet.
Kështu tha ai gjatë mbledhjes së Qeverisë, teksa foli për mandatin katërvjeçar të ekzekutivit. Ai tha se Qeveria që ai udhëheq, ka arritur “rezultate të jashtëzakonshme” gjatë mandatit të plotë kushtetues.
“Buxheti për ushtri është trefishuar, trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar, investimet në armatim janë shumëfishuar përfshirë këtu dronët Bayraktar luftarakë dhe kontratën për funksionalizimin e fabrikës së municioneve”, tha Kurti, raporton Rel.
“Mandatin e ri, ushtrisë do t’ia ndajmë mbi 1 miliard euro do të kemi fabrikë të municioneve dhe dronë ushtarakë ‘Made in Kosova’, pra që i prodhojmë vet”, shtoi ai.
Më 2024, buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes ishte 153 milionë, ndërkaq këtë vit ai është 207.8 milionë.
Paralajmërimet për rritjen e buxhetit për mbrojtjes vijnë në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon procesin e transformimit në ushtri dhe në kohën kur shteti po ndërmerr hapa për të forcuar mbrojtjen e saj.