Kurti: Po mungon drejtësia për Astrit Deharin, ai na mungon shumë

Kurti: Po mungon drejtësia për Astrit Deharin, ai na mungon shumë

“Sot u mbushën tetë vjet pa Astrit Deharin. Na mungon shumë. Na merr malli për ditë. Zemërimi e pikëllimi nuk na hiqet, dhe vit pas viti mungon drejtësia, mungon zbardhja e këtij rasti, i cili ishte goditje tejet e rëndë për studentët, për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe për mbarë rininë shqiptare”, ka shkruar në Facebook kryeministri Albin Kurti pas homazheve që bëri te varri i tij.

Ai ka thënë se kjo goditje tejet e rëndë vazhdon edhe pas tetë vjetëve në një formë tjetër nëpërmjet drejtësisë që mungon.

“Në këto tetë vjet katër prokurorë e kishin rastin e mbytjes në burgun e Prizrenit të Astrit Deharit por që të katërtit ata dolën në pension pa e kryer punën. Tash është prokurori i pestë, i cili e ka marrë rastin dhe si Lëvizje VETËVENDOSJE!, si Qeveri e Republikës, jemi shumë të interesuar, fort të gatshëm, gjithnjë të vullnetshëm që ta ndihmojmë me krejt çfarë mundemi e dimë prokurorinë e shtetit për të sjellë drejtësi për Astrit Deharin, familjen e tij, Lëvizjen e tij, popullin e tij. Por këtë ndihmë dhe mbështetje që ne duam e duhet ta japim nuk është e tillë që mund ta zëvendësojë punën e prokurorisë andaj besojmë e shpresojmë që ky prokurori i pestë që e ka marrë rastin tani do të punojë dhe do të kontribuoj në ndriçimin e këtij rasti dhe në sjelljen e drejtësisë në kontrast me ata para tij. Ne shokët e shoqet e Astritit mbajmë në zemër Astritin, ashtu qysh ai gjithë jetën e tij e pati në zemër Republikën e Kosovës, kombin shqiptar, dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, ka theksuar Kurti.