
Kurti për shpërthimin afër Ujmanit: Serbisë nuk i leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë
Policia e Kosovës e ka konfirmuar të dielën shpërthimin me granatë dore në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.
Sipas informatave të autoriteteve të sigurisë, granata është hedhur në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale afër Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë”.
“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhura me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës”, ka thënë Kurti, duke u zotuar për sundim dhe rend publik në gjithë Kosovën.
“Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë mes tjerash Kurti, përmes një postimi në Facebook.