Kurti organizoi pritje për bashkatdhetarë në ballkonin e hapur të Qeverisë
Kryeministri Albin Kurti, dje në mbrëmje organizoi pritje për bashkatdhetarët në Ballkonin e Hapur të Qeverisë.
Duke u uruar të gjithëve mirëseardhje, fjalën pritëse kryeministri Kurti e filloi me urimin për 25-vjetorin e çlirimit të vendit.
“Gëzohem që ju shoh, e gëzuar edhe 25-vjetori i çlirimit të vendit tonë. Ky vit është jubilar e i veçantë, sepse u bë një çerek shekulli në liri. Edhe këtu, shprehim mirënjohjen tonë të thellë dhe nderimet tona të larta për të gjithë ata e ato që u sakrifikuan për liri. Përulësisht nga ana jonë, lavdia u takon atyre, përjetësisht”, u shpreh kryeministri.
Ai veçoi disa nga nismat kryesore gjatë kësaj qeverisje për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj mërgatës me tarifat e reja për shërbime konsullore, përfshirjen e tyre në jetën institucionale në vend, përmes Programit për Diplomaci Qytetare mundësitë për investime përmes Dritares për Investime të Diasporës, regjistrimin e mërgatës që po bëhet për herë të parë online përmes patformës Ediaspora dhe programet dhe platformat mirëseardhëse si ajo “Shijo Kosovën” e cila përmes aktiviteteve të ndryshme gjatë verës me qëllim forcimin e lidhjes së mërgatës me vendin.