Kurti: Opozita po ia zgjat mandatin qeverisë aktuale

Kurti: Opozita po ia zgjat mandatin qeverisë aktuale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se sa më shpet që konstituohet Kuvendi, së më shpejt do të formohet qeveria e re.

“Ju të gjithë e dini se unë kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin qeverisë, përveç opozitës kosovare, e cila – siç jeni dëshmitarë të gjithë ju – po ia zgjat mandatin qeverisë aktuale. Dikush edhe mund të mendojë që kemi marrëveshje, pra se ne si qeveri në detyrë kemi marrëveshje me opozitën aktuale që ne të qëndrojmë sa më gjatë në pushtet. Por ju siguroj që kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk kam shpjegim racional për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës, në veçanti Kuvendi i Republikës ende i pathemeluar sepse qeveria është në detyrë. Dhe ne, në bazë të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, njëmend kemi më pak kompetenca, por ne kemi njësoj shumë punë. Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin, duke e formuar me votim të fshehtë që po e provojmë tani kryesinë e Kuvendit, aq më shpejt do të jemi edhe te qeveria e re. Në ndërkohë që nuk ka qeveri të re, ‘Kurti 3’ ka qeveri në detyrë, pra Kurti 2.5. Ky është realiteti të cilit s’kam se çfarë t’i shtoj”, ka thënë sot Kurti.