Kurti nuk merr pjesë në ‘Epopenë e Dukagjinit”, por shkruan për të në Facebook
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për 26-vjetorin e ‘Epopesë së Dukagjinit”.
“Kushtrimi i lirisë dhe lufta çlirimtare në Dukagjin nisi më 24 mars 1998. Bashkë me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë e popullit tonë për çlirim”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka theksuar se qëndresa në Gllogjan i dha Serbisë mesazhin e fuqishëm se kulla nuk gjunjëzohet, se Kosova nuk nënshtrohet.
“Sot kujtojmë dëshmorët e Epopesë së Dukagjinit, Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj. Sakrificën e tyre e nderojmë ҫdo ditë me respektin më të lartë”.
“Duke kujtuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, po e zhvillojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës. 26 vite më vonë, ushtrinë e shtetit e kemi më të fuqishme e më të pajisur, më të përgatitur e më të madhe se asnjëherë më parë. Krahas rritjes së buxhetit, shtimit të investimeve në armatim, sivjet ushtrisë sonë do t’i bashkohen edhe 600 rekrutë të rinj. Ideali i dëshmorëve, përparimi i vendit dhe liria e popullit po jetësohet dhe po jetohet për çdo ditë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për çlirimin e Kosovës!”, ka shkruar Kurti.