
Kurti nga Hanoveri kërkon bashkëpunim për teknologjinë industriale
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari, u takua në Hanover, në panairin “Hannover Messe 2025”, me drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth, Steffen Haack.
Temë kryesore e bisedës mes tyre ishte mundësia e investimeve në Kosovë, gjersa kryeministri e njoftoi atë mbi reformat e suksesshme dhe arritjet e qeverisë përgjatë këtij mandati.
Gjithashtu, u diskutua mundësia e bashkëpunimit në fushën e kërkimit, hulumtimit dhe zhvillimit në sektorët e automatizimit dhe teknologjisë industriale.
Kryeministri theksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të mbështetur iniciativat e kompanive gjermane në themelimin e qendrave të inovacionit dhe trajnimit profesional në vend, në bashkëpunim me universitetet.
Kryeministri Kurti e ftoi atë që ta vizitojë vendin tonë për të njohur më gjerësisht potencialin për investime që ofron Kosova dhe zhvillimin që ka njohur vendi ynë.