Kurti në Sarajevë, djali i Alija Izetbegoviqit i dhuron librin e babait
Kryeministri Albin Kurti, krahas takimeve në Sarajevë me drejtues të institucioneve, u takua edhe me drejtues të partive politike në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Shefi i qeverisë kosovare u takua me kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq dhe kryetarin e Partisë për Bosnjën dhe Hercegovinën (Stranzka za BiH), Semir Efendiq.
“Kryeministri fillimisht u mirëprit nga Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Izetbegović me të cilin diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, zhvillimet në të dy vende dhe mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. Kryetari Izetbegović e falënderoi për vizitën, me ç’rast i dhuroi kryeministrit librin e babait të tij, ish presidentit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegović, “Alija Izetbegoviq: Vepra 3”, thuhet në komunikatë.
Kurti pastaj u mirëprit nga Efendiq. Edhe me të diskutuan për raportet ndërmjet dy vendeve dhe për rritjen e bashkëpunimit.
Ai e falënderoi kryeministrin për vizitën dhe për vendimin e qeverisë që të mundësojë udhëtimin e lirshëm të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftim në Kosovë duke filluar nga 1 janari 2025.
Pas këtyre takimeve, Kurti do të marrë pjesë si folës kryesor në një diskutim rreth bashkëpunimit dhe marrëdhënieve rajonale të organizuar nga organizata joqeveritare, “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.