Kurti në Kroaci u mirëprit nga bashkatdhetarë

Kurti në Kroaci u mirëprit nga bashkatdhetarë

Mbrëmjen e së premtes, takimet e kryeministrit Albin Kurti, në kryeqendrën e Kroacisë, u përmbyllën me pritjen të organizuar me bashkatdhetarë atje.

Në adresimin e tij, i pari i qeverisë u shpreh fillimisht se Kroacia është shtet e popull mik, partner e aleat i Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar.

Ai vlerësoi rolin e diasporës në shtetndërtimin e Kosovës, si para dhe pas luftës, para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Republikës.

Sipas një komunikate për media, kryeministri në këtë takim theksoi se sfidat që janë përpara do të tejkalohen bashkërisht, me sukses, për rrugën për përparim që nuk e lë askënd prapa, për zhvillim, prosperitet dhe drejtësi.

“Bashkatdhetarët tanë nuk i ftoj më si para 30 viteve që të vijnë në Kosovë e të kontribuojnë duke sakrifikuar, por të fitojnë duke investuar. Po investojnë edhe të tjerët, të gjithë ju që jeni ndërmarrës ne ju garantojmë se në Kosovë nuk e keni vetëm një treg të lirë ku sundon ligji, por e keni dhe një qeveri partnere që ju garanton investimin”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se për mërgatën kemi mundësuar votimin për zgjedhjet e radhës edhe nëpër ambasada e konsullata, ku deri në datën 26 dhjetor këtë muaj, është afati i regjistrimit për të votuar qoftë fizikisht në ambasada e konsullata, qoftë me postë brenda vendit, për çka dhe i ftoi që të regjistrohen.

Kurti i falënderoi bashkatdhetarët në Kroaci për kontributin e tyre në luftën e Kroacisë për pavarësi dhe për rolin e tyre disa vite më vonë për çlirimin e Kosovës.