HomeAktualeKurti nderon Metush Krasniqin: Një nga figurat e rëndësishme të rezistencës shqiptare

Kurti nderon Metush Krasniqin: Një nga figurat e rëndësishme të rezistencës shqiptare

spot_img

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar figurën e veprimtarit të çështjes kombëtare, Metush Krasniqi, në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Kurti ka bërë homazhe në Kamenicë, duke e cilësuar Krasniqin si një nga idealistët dhe veprimtarët e paepur të çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi.

Sipas Kurtit, Metush Krasniqi gjatë gjithë jetës së tij kishte një qëllim të vetëm – lirinë e Kosovës dhe afirmimin e vullnetit politik të popullit të saj.

Në shkrimin e tij, Kurti ka theksuar se historia politike e Kosovës gjatë shekullit XX është e lidhur ngushtë me burgjet, ku mijëra aktivistë shqiptarë u dënuan dhe kaluan dhjetëra mijëra vite në burgje për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë së tyre politike.

“E nëse në regjistrin e fjalëve kyçe për historinë politike të Kosovës, pas fjalës ‘burg’, vendosim të shtojmë edhe emra të përveçëm, njëri prej tyre padyshim që do të ishte edhe ai i Metush Krasniqit”, ka shkruar Kurti.

Ai e ka krahasuar veprimtarinë e Krasniqit me atë të Adem Demaçit, duke e cilësuar atë si një nga aktivistët politikë me vetëdijen më të qartë për çështjen kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe me angazhim të shumanshëm për çlirimin e trojeve shqiptare.

Kurti e ka përmbyllur shkrimin me nderimin për Metush Krasniqin dhe të gjithë ata që, sipas tij, u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

“Lavdi Metush Krasniqit dhe gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e atdheut!”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në shënimin e 100-vjetorit të lindjes, në Kamenicë bëmë homazhe dhe përkujtuam njërin nga idealistët e pakusht dhe veprimtarët e paepur të çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi, Metush Krasniqi, i cili jetoi e veproi për një qëllim të vetëm: lirinë e Kosovës dhe afirmimin e vullnetit politik të popullit të saj.

Nëse do të na duhej të gjenim disa fjalë kyçe për historinë politike të Kosovës, pashmangshëm mes tyre do të duhej ta listonim fjalën “burg”. Kjo meqë historia politike e Kosovës gjatë shekullit XX është e lidhur pashqitshëm me dhjetëra burgje në Kosovë dhe gjithandej nëpër Jugosllavi, ku mijëra aktivistë politikë shqiptarë, kaluan gjithsej dhjetëra mijëra vite si të burgosur për shkak të bindjeve e veprimtarive të tyre politike. Përveç mijëra dëshmorëve dhe martirëve, të vrarë nga regjimet shtypëse të Jugosllavisë së dominuar nga Serbia, shqiptarët e kanë paguar çlirimin e Kosovës edhe me shumë vite jetësh personale të kaluara nëpër burgje, mes torturash, dhunës, urisë, të ftohtit, sëmundjeve dhe përballjes me vdekjen.

E nëse në regjistrin e fjalëve kyçe për historinë politike të Kosovës, pas fjalës “burg”, vendosim të shtojmë edhe emra të përveçëm, njëri prej tyre padyshim që do të ishte edhe ai i Metush Krasniqit. Do të ishte sepse pas Adem Demaçit, por edhe bashkë me Bacin Adem, Metush Krasniqi rezulton të ketë qenë një nga aktivistët politikë me vetëdijen më të kulluar politike, me vizionin më të qartë për çështjen kombëtare të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi dhe me veprimtarinë më të shumanshme për çlirimin e trojeve të banuara me shqiptarë nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Lavdi Metush Krasniqit dhe gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e atdheut!

Lajmet e Fundit

Baton Haxhiu: Besoj se Uran Ismaili do të zgjidhet kryetar i PDK-së, gara do të jetë mes tij dhe Enver Hoxhajt

Analisti Baton Haxhiu ka deklaruar në emisionin “Pressing” se beson që Uran Ismaili do...

Kurti takon Kosin në Mal të Zi, flasin për anëtarësim në BE

Në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit, sonte në Shën Stefan në Mal...

Kosova U15 në Baku për FIFA U-15 World Cup & Festival

Kombëtarja e Kosovës U15 ka mbajtur sot stërvitjen e parë në Baku të Azerbajxhanit,...

Shiroka Pula takon ipeshkvin Dodë Gjergji, vlerëson kontributin e Kishës Katolike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim ipeshkvin...

Më të lexuarat

Nga reforma territoriale te decentralizimi real në Shqipëri 

Shkruan: Besnik Tahiri Qëndrim këshillues për fazën e ardhshme të reformës së pushtetit vendor në...

SPECIALJA, NDRYSHIM I LIGJIT APO ZHBËRJE E SAJ?

Shkruan: Hisen Berisha Çështja që është ngritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 nuk mund...

DEKLARATË PËR TA ZGJATUR JETËN E DHOMAVE SPECIALE

Shkruan: Hisen Berisha (Nga deklarata te mos/veprimi shtetëror, nga letra me thirrjen “Shko, Hashim” te...