Kurti merr pjesë në promovimin e projektit për “Modernizimin e plotë të rrjetit Vala”
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e promovimit të projektit për “Modernizimin e plotë të rrjetit Vala”.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se Telekomi është tashmë një ndërmarrje e rimëkëmbur, me stabilitetit financiar e operativ, që po modernizon në tërësi rrjetin mobil me 5G e 4G+ në tërë Kosovën, duke dhënë shembull të mirë për vendin dhe për rajonin.
“Telekomi vendosi disiplinën, ristrukturoi radhët e veta, riktheu fitimin dhe e nisi projektin e madh të modernizimin të rrjetit mobil, shërbimit kryesor që ndërmarrja iu ofron qytetarëve tanë, pa dallim”, tha kryeministri, duke theksuar se Vala kaloi plotësisht në kodin shtetëror të Republikës së Kosovës +383, si dhe modernizoi teknologjinë e saj.
Ai shtoi se sot jemi përpara shumë vendeve të rajonit rreth e rrotull, ku rrjeti mobil i Valës mbulon gjithë vendin me 4G+, dhe mbi 65% e territorit të Kosovës shërbehet me 5G.
“Trafiku në rrjetin e Valës po rritet. Klientët janë gjithnjë e më të kënaqur, dhe numri i tyre po shtohet dita-ditës. Të hyrat nga shitja janë në ngritje, dhe e ardhmja e ndërmarrjes është e sigurt. Me udhëheqje vizionare dhe me infrastrukturë të avancuar, Vala është e gatshme të nxisë e të përkrahë transformimin digjital të shoqërisë sonë dhe t’i kontribuojë rritjes së vazhdueshme ekonomike të Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se është e jashtëzakonshme të shohim se si Telekomi përparon dhe secilën herë përkundër të gjitha vështirësive që kanë ekzistuar, ndërsa kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, tha se teksa po e promovojmë këtë projekt, Kosova është kthyer në lider në rajon në implementimin e teknologjive më të avancuara të kohës 4G+ dhe 5G në këtë shkallë në nivel vendi.