Kurti me të burgosurit politikë: Përkundër dëshmive, kryesit e masakrës së Dubravës ende të lirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.
Në takim, u theksua rëndësia e dokumentimit në shërbim të memories kolektive si dhe të drejtësisë për shtypjen politike dhe dhunën e përdorur mbi aktivistët politikë shqiptarë dhe intelektualët e angazhuar për të drejta politike, për vetëvendosje, për çlirim dhe për Republikën e Kosovës.
“U bisedua për mundësitë e dokumentimit për të dëshmuar të vërtetën mbi torturat fizike dhe trysnitë psikike nga regjimi kriminal i Serbisë mbi mijëra të burgosur shqiptarë. Duke veҫuar masakrën mbi të burgosurit politikë në burgun e Dubravës, u tha se ndonëse të burgosurit e mbijetuar e kanë rrëfyer historinë e masakrës bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, kryesit ende nuk janë nxjerrur para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Në takimin e përbashkët me kryetarin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefki Sadiku dhe përfaqësuesit Meriman Braha, Hydajet Hyseni, Xhemajl Pllana dhe Xhevat Bislimi, u bisedua për format e mundshme të mbështetjes për ShBPK-së dhe fuqizimin e saj.