Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nevojiten negociata shteruese mes LVV-së dhe LDK-së për të arritur një marrëveshje rreth zgjedhjes së presidentit.
Kurti tha se fillimisht duhet të dakordohen për atributet dhe karakteristikat e figurës presidenciale, e më pas të diskutohen emrat konkretë.
“Nevojiten negociata shteruese në mënyrë që të kemi pajtueshmëri për rrugën përpara. Negociatat nënkuptojnë që nuk do të ketë emër të përveçëm për president të njërës palë, por duke e diskutuar parimisht, konceptualisht një herë për atributet, tiparet, karakteristikat e figurës presidenciale, e më pas duke qarkulluar e duke diskutuar për emrat e përveçëm, ka mundësi që të arrihet zgjidhja. Ju e dini që në legjislaturën e 10, pas tërheqjes së Glauk Konjufcës nga kandidatura, bashkë me kandidaten tjetër, dr. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, dhe pasi që nuk pati propozime nga opozita, ne sollëm një lidere të shoqërisë civile, dr. Feride Rushiti. Ajo i ka pasur 64 vota në kuti me votim të fshehtë, tash dr. Bekim Sejdiu mund të them që dje i kishte 80 vota, sot i ka 74 vota, pra kemi një lëvizje nga 64 për Feride Rushitin në 74 vota për Bekim Sejdiun, dhe këtë fjalë time hyrëse para jush po e përmbylli duke thënë se për mua si kryetar i LVV, si kryeministër në detyrë, si udhëheqës i delegacionit të ekipit negociator me LDK-në, marrëveshja politike që kemi bërë është e vlefshme”.
“Pra, ajo marrëveshje qëndron, është marrëveshje me shumë mund, e drejtë, e mirë, e vërtetë, e dobishme. Por, çfarë të bëjmë që kishim këtë veprimin negativ të 6 deputeteve të cilët duket qartë se nuk e kanë aq kundër profesor Bekim Sejdiut, sa e kanë kundër qeverisë që unë e udhëheq. Prandaj ekziston opozitarizimi në Kuvend të Republikës, për atë gjë ekzistojnë zgjedhjet e lira demokratike ku matesh në popull dhe pastaj përfaqëson votuesit e tu. Por nuk mundemi që pafundësisht t’i përsërisim zgjedhjet me rezultat të njëjtë me shpresën që ndoshta kësaj radhe rezultati do të jetë një çik më ndryshe. Nuk do të jetë”, u shpreh Kurti

