
Kurti: Liria erdhi falë sakrificës së popullit, rezistencës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s
Në kuadër të aktiviteteve dhe ngjarjeve në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, u mbajt pritja shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani Sadriu, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.
Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin edhe udhëheqës të institucioneve vendore e ndërkombëtare, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ambasadorë, e përfaqësues diplomatikë. Fjalën e tij të rastit, Kurti e filloi duke përkujtuar javët dhe muajt e pranverës së vitit 1999, të cilat kulmuan me çlirimin e Kosovës.
“Populli i Kosovës i priti ushtarët e NATO-s me krahë dhe zemra të hapura, me buzëqeshje dhe me brohoritje, si çlirimtarë njësoj sikurse luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kudo ushtarëve iu ofruan lule gjersa valëviteshin flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe shteteve tjera krahas flamurit kombëtar shqiptar”, tha kryeministri.
Më tej, shefi i ekzekutivit kosovar theksoi se liria erdhi falë sakrificës së popullit, rezistencës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së aleancës më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit – NATO-s. “Prandaj, sot themelet e shtetit tonë janë të forta sepse ato u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve, nga qëndresa e popullit dhe me mbështetjen e aleatëve”, shtoi ai.
Kryeministri Kurti veçoi edhe “katër figura të rëndësishme, me të cilët kemi emëruar sheshe dhe rrugë dhe u kemi ngritur shtatore në qytetet e Kosovës. Presidenti Bill Clinton, Kryeministri Tony Blair, Sekretarja Madeleine Albright dhe gjenerali Wesley Clark, për të cilët historia e Kosovës do të ruaj faqet më të ndritura për kontributin dhe rolin e tyre në lirinë tonë”.