Kurti: Kosova është në proces të finalizimit të procesit të negocimit të agjendës së reformave
Kryesuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e trembëdhjetë e Komisionit për Planifikim Strategjik, në të cilën u shqyrtuan aplikimet për raundin e radhës të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor apo WBIF.
“Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor ka hapur dy thirrje: për raundin e 31-të të granteve të asistencës teknike dhe për raundin 10E të granteve investuese. Sot do të miratojmë aplikimet për thirrjen e hapur për grantet e asistencës teknike, që do të shfrytëzohen për të përgatitur dhe ndihmuar zbatimin e investimeve infrastrukturore”, u shpreh Kurti në fjalën e tij hyrëse, njoftojnë nga kryeministria.
Njëkohësisht, bëhet e ditur se ai shtoi që burimi i financimit të projekteve infrastrukturore përmes mekanizmit të WBIF, do të jetë nga Plani i Rritjes dhe aprovimi i thirrjeve në fushat e energjisë, transportit, infrastrukturës digjitale dhe kapitalit njerëzor do të jetë sipas përmbushjes së reformave të cilat institucionet tona i kanë dakorduar me Komisionin Evropian në kuadër të Agjendës së Reformave për Planin e Rritjes së BE-së.
“Kosova është në proces të finalizimit të procesit të negocimit të agjendës së reformave, proces ky në të cilin jemi ndër shtetet e vetme të rajonit për të mos thënë i vetmi që kemi respektuar të gjitha afatet shumë ambicioze të caktuara nga BE-ja qysh nga fillimi. Në javët në vijim presim që procesi të përmbyllet me nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjeve me BE-në për sa i përket instrumentit të ri si dhe marrëveshjes së veçantë për huadhënie. Pas kësaj pres nga të gjitha institucionet përgjegjëse të mbajnë këtë ritëm të respektimit të afateve në përmbushjen e objektivave, përkatësisht caqeve të përcaktuara në sektorët e tyre”, theksoi Kurti.