
Kurti kërkon avancimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta trajtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, duke thënë se Kosova nuk ka “plan B”, por është plotësisht e angazhuar për integrim në bllokun evropian.
“Ka ardhur koha që Kosova dhe BE të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për të tejkaluar pengesat që e pengojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE”, tha Kurti, gjatë një diskutimi në Bruksel të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS).
“Kjo do të thotë: të iniciohet Pyetësori për Kosovën, për të vlerësuar kapacitetet tona institucionale dhe ligjore për anëtarësim në BE; dhe të përgatitet një mendim të bazuar në merita për statusin e kandidatit të BE-së”, shtoi ai, shkruan Rel.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.