
Kurti: Kemi nevojë për një raport të ri Qeveri-opozitë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë të premten se Kosova ka nevojë për një marrëdhënie të re mes pushtetit dhe opozitës, në mënyrë që t’i kalojë marrëveshjet jetike ndërkombëtare dhe ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, për ta shmangur një krizë të re politike.
Partia në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, i fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke i marrë 57 vende në Kuvendin me 120 sosh, dhe pritet ta formojë së shpejti qeverinë e re për një mandat të tretë katërvjeçar.
Megjithatë, atij i mungon një shumicë dërrmuese prej 82 deputetësh për të kaluar ligje sikurse janë marrëveshjet ndërkombëtare, apo zgjedhja e presidentit të vendit.
Kurti tha për gazetarë të premten se e ka takuar presidenten Vjosa Osmani – e cila po kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar – por se votimi në Kuvend për presidentin e ri është “hapi i katërt” në një varg hapash, siç është certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit të ri dhe formimi i qeverisë së re.
Kurti tha se partia e tij është e gatshme për bashkëpunim me opozitën dhe pret të shohë nëse do të ketë lëvizje nga ajo në shkurt.
“Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–opozitë”, tha Kurti.
“Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë; nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën”, shtoi ai.
Dështimi për ta zgjedhur presidentin ri, pasi Osmanit i mbaron mandati në prill, do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme për herë të tretë brenda afërsisht 12-muajsh.
