Kurti i thotë QUINT-it se euroja është valuta e vetme e lejuar në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë ambasadorëve të shteteve të QUINT-it dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë gjatë një takimi të premten se valuta e vetme e lejuar për përdorim në transaksionet me para ta gatshme është euroja, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ta ndaluar dinarin serb.
Javën e kaluar, BQK-ja lëshoi një rregullore, e cila kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë, të bëhen me euro, nisur nga 1 shkurti.
Kurti u ka kërkuar vendeve të QUINT-it ta respektojnë vendimin e Bankës Qendrore, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës të premten vonë.
“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftim.
Takimi i Kurtit me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, vjen pak ditë pasi SHBA-ja i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta rishqyrtojë vendimin e BQK-së për dinarin, ndërsa Bashkimi Evropian i kërkoi sqarime për të.
Për më shumë se dy dekada, të inkurajuar nga Beogradi, banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e shfrytëzuan monedhën serbe për gjithçka – nga rrogat dhe pensionet deri te pagesat në dyqane dhe restorante.
Sipas vendimit të BQK-së, tani dinarët do të mund vetëm të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.