Kurti i lumtur që vitin 2024 po e fillon me një takim të rëndësishëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot në një darkë pune Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, i cili po e viziton Kosovën për herë të parë.
I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila dhe ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, Ilir Kapiti, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje të veçantë në Prishtinë, Sekretarit Cameron.
Ai u shpreh i lumtur që vitin 2024 po e fillon me një takim të rëndësishëm dypalësh me miken, partneren dhe aleaten e afërt të Republikës së Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar, teksa e uroi Sekretarin Cameron për detyrën e tij të re dhe Vitin e Ri 2024.
Në takim u theksua vlera edhe rëndësia e marrëdhënieve të forta bilaterale ndërmjet dy shteteve, teksa u diskutua për fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit dypalësh në shërbim të interesave të përbashkëta dhe të fuqizimit të raporteve të ndërsjella.