
Kurti: Elfete dhe Mentor Humolli, vëlla e motër, janë simbol i sakrificës dhe flijimit të njerëzve të këtij vendi
Sot është 36-vjetori i rënies heroike të dëshmores së kombit, Elfete Humolli.
“Dy javë pa i mbushur 17 vjet, ajo u vra nga plumbat e policisë armike të Serbisë, e cila po e shuante me gjak demonstratën e popullit në Lupç të Poshtëm. Si nxënëse e Shkollës Ekonomike, kishte dalë në demonstrata për Republikën e Kosovës, për mbrojtjen e popullit dhe kundër okupimit serb. Elfetja, sikurse edhe shumë nxënës të tjerë, ishte në ballë të qëndresës e rezistencës, e cila i parapriu kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare të bartur e udhëhequr nga UÇK-ja”, ka shkruar Kurti në Facebook derisa ka bërë homazhe.
Ai ka theksuar se “Fjalët e fundit që thuhet se kanë dalë nga goja e Elfetes ishin: “Ku është Mentori? A ka shpëtuar?”. Vetë ishte 16-vjeçare në demonstratë, por brengën më të madhe e kishte për vëllain e saj 13-vjeçar. Nëntë vjet më pas, në 21 maj 1999, Mentori bie dëshmor në Koshare si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Elfete dhe Mentor Humolli, vëlla e motër, janë simbol i sakrificës dhe flijimit të njerëzve të këtij vendi, të cilët me qëndrueshmërinë e tyre ndodhen në rrënjët e lirisë dhe themelet e shtetit tonë, si dhe të aspiratave tona për përparim shtetëror dhe kombëtar. Lavdi Elfete Humollit, lavdi Mentor Humollit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Kurti.
