Kurti bëri homazhe në 26-vjetorin e masakrës në Tërnje të Therandës

Kurti bëri homazhe në 26-vjetorin e masakrës në Tërnje të Therandës

Në përvjetorin e 26-të të masakrës në Tërnje të Therandës, kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe dhe vendosi kurora me lule të freskëta pranë varreve të të rënëve të cilët u vranë mizorisht nga forcat e armatosura serbe.

“Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës”, u shpreh kështu kryeministri Kurti gjatë homazheve, teksa potencoi se neve na ka ngelur një pjesë më e vogël e punës, por e rëndësishme që ta forcojmë shtetin tonë, ta forcojmë shtëpinë e popullit ashtu që brezave të ardhshëm kurrë të mos iu bie që të vuajnë, të kenë dhembje, apo humbje çfarë kaluam ne.

Kryeministri theksoi se 26 vjet më parë në pranverën e vitit 99-të, u vranë martirët e dëshmorët e kombit që na e kujton se sa i madh ishte çmimi i lirisë.

Ai shprehu respekt të veçantë për nënat shqiptare të cilat i rritën bijat edhe bijtë e tyre për të qenë qytetarë të dinjitetshëm të Republikës, duke shtuar se përkulemi me nderim dhe mirënjohje të thellë, e falënderim të përzemërt për të gjithë ata të cilët kontribuan për lirinë e popullit tonë dhe vendit tonë.

Në këto homazhe, krahas kryeministrit Kurti, ishin edhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Artan Abrashi, Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj, si dhe familjarë të dëshmorëve e martirëve të kombit, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.